Ballina Aktualitet Tiranë, tentativa për kalim të paligjshëm të kufirit drejt “Schengen”-it, Policia e...

Tiranë, tentativa për kalim të paligjshëm të kufirit drejt “Schengen”-it, Policia e Rinasit bën bilancin e nëntorit

Fluksi i madh i pritshëm për festat e fundvitit në Aeroportin e Rinasit ka vënë në lëvizje Policinë Kufitare për të hartuar planin e masave të detajuar për përballimin e hyrje-daljeve, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.
Ndërkohë, tashmë që muaji nëntor kaloi, Policia e Rinasit bën edhe bilancin e punës së saj. Sipas raportit, janë goditur 66 raste të paligjshmërisë, janë arrestuar dhe proçeduar 10 persona për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa u është refuzuar dalja 207 shtetasve që nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën “Schengen”.

Gjatë kësaj periudhe njëmujore, Policia Kufitare ka kapur 9 persona në kërkim dhe ka proçeduar penalisht 52 shtetas për kalim të paligjshëm kufiri.

Policia njofton gjithashtu proçedimin e një shtetasi për mosdeklarim të parave në kufi, ndërsa një tjetër është arrestuar për mitëdhënie. Ndërkohë ka edhe një rast të shënuar të kundërshtimit të punonjësve të policisë, gjatë të cilit është arrestuar një person.

Nëntori, që përkon si çdo vit edhe me festat e Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit, ka bërë që përmes Aeroportit të Rinasit të hyjnë e dalin plot 203.694 shtetas shqiptarë apo të huaj.