Ballina Aktualitet Tiranë, takimi Basha-Kryemadhi, nesër përsëri protesta dhe bllokim të rrugëve (VIDEO)

Tiranë, takimi Basha-Kryemadhi, nesër përsëri protesta dhe bllokim të rrugëve (VIDEO)

Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i opozitës. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit që ai pati me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Basha ka ritheksuar para mediave qëndrimin se largimi i kryeministrit Edi Rama është kusht i panegociueshëm për dialog.

Ai deklaroi se nesër, në orën 11:00, do të ketë një prezantim nga koalicioni opozitar të planit për qeverinë tranzitore dhe, në orën 18:00, do të ketë sërish bllokim të disa akseve rrugore kombëtare.

“Po konkludojmë hapat që opozita do të hedhë për përshkallëzimin e aksionit opozitar, – ka thënë Basha. – Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe, siç u bë e qartë dhe 24 orët e fundit, edhe në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, të integrimit të vendit në BE. Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies së qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë. Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër nga ora 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Basha deklaroi se forcat politike opozitare janë duke punuar instensivisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike, për ofertën për shqiptarët, jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza, por për t’iu dhënë atyre sigurinë, lirinë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjithë.