Ballina Aktualitet Tiranë, Tahiri: Jam i pastër, u shpalla i pafajshëm nga drejtësia italiane

Tiranë, Tahiri: Jam i pastër, u shpalla i pafajshëm nga drejtësia italiane

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, teksa ka bërë të njohur vendimin e drejtësisë italiane, e cila e shpall atë të pafajshëm për akuzat e ngritura, ka theksuar se “rezultati është ky sot që autoritetet italiane me vendim të formës së prerë kanë mbyllur hetimet sepse nuk kam asgjë të paligjshme.”

Dalja e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri para mediave pritej prej disa ditësh tashmë, por kjo gjë u shty për shkak të disa zhvillimeve në vend. Prej shumë kohësh, ai ishte bërë objekt i akuzave të shumta nga opozita për përfshirjen e tij të dyshuar në aktivitete kriminale, kryesisht të trafikut të lëndëve narkotike.

Saimir Tahiri ishte bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Katanias, në Itali, hetim ky që tani u mbyll pasi nuk u gjetën prova për të mbështetur akuzën.

“Jam i vetmi politikan që vetëm pse u përmenda nga disa trafikantë dhashë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Unë ua bëra qejfin më shumë dhe kërkova hetim vetë nga antimafia italiane. Ata më dërguan vendimin zyrtar se kanë pushuar hetimin ndaj meje, – ka thënë sot Tahiri. – Ky është një lajm i mirë për familjen time dhe ata që më kanë besuar çdo ditë.”

Ndërkohë, Tahiri nuk ka harruar të sulmojë opozitën për akuzat e ngritura ndaj tij. “Unë nuk jam Lulzim Basha, kriminel ordiner që vodhi e vrau bashkë me Berishën dhe nuk janë hetuar, nuk janë gjykuar e nuk janë dënuar,” – ka shtuar Tahiri në prononcimin e tij për mediat.