Ballina Aktualitet Tiranë, studentët thirrje qytetarëve: Nesër të gjithë në protestë

Tiranë, studentët thirrje qytetarëve: Nesër të gjithë në protestë

Në ditën e 10-të protestës, studentët vazhdojnë të qëndrojnë përballë godinës së Kryeministrisë, ku i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen nesër, në një protestë mbarëkombëtare.

Studentët thanë se tubimit të sotëm pritet t’i bashkohen edhe një grup të rinjsh nga Miloti që janë nisur në këmbë dhe kanë arritur në Kamëz.

“Për sa kohë i bashkohen kauzës sonë janë të mirëpritur. Ne nuk po luftojmë vetëm për veten, por për gjithë shqiptarët që janë shtypur nga ky sistem. Në rradhë të parë i kërkoj ndjesë banorëve të Astirit, se ata që i ndaluan ishin persona të caktuara, me qëllime të caktuara, dhe krijuan kakofoni. I bëjmë thirrje të gjihë banorëve të na bashkohen, simboli i vetëm është flamuri kuq e zi. Në momentin se do të vijnë me flamurin shqiptar, do i mirëpresim. – tha një student.

Një studente tha se nuk do t’i ndahet protestës pavarësisht kërcënimeve që ka marrë në adresë të saj.

“Zoti kryeministër nuk po negocion, po shfaq hapur frikën për studentët, por ne nuk kemi frikë. Kryeministri duhet të bëjë thjesht detyrën. Ne ndodhemi në shesh pavarësisht kërcënimeve me jetë. Kam qëndruar tre ditë në shesh dhe jam shoqëruar në shtëpi nga persona që nuk i njoh fare. Ne po sakrifikojmë shkollën, familjen”, – tha një studente.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Presidenti Ilir Meta riktheu sërish në Kuvend ligjin për buxhetin 2019, me qëllim që t’u jepet mundësi plotësimit të kërkesave të studentëve.