Ballina Aktualitet Tiranë, studentët thirrje: Mos të guxojë askush të dialogojë me Ramën

Tiranë, studentët thirrje: Mos të guxojë askush të dialogojë me Ramën

Pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për dialog me ta, studentët janë mbledhur para Korpusit dhe kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit ku ashtu si ditët e tjera do të protestojnë për të drejtat e tyre dhe deklaruan se nuk do të marrin pjesë në dialog të thirrur nga kryeministri Rama pa plotësuar kërkesat e tyre të parashtruara përmes 8 pikave.

“Kryeministrit ia kemi bërë të qartë. Nuk ka dialog. Asi duhet të plotësojë kërkesat tona. As sot nuk ka për t’ia dalë. Ai ka sot një ultimatum për këtë. Të gjithë studentët të martën do të jenë në Tiranë dhe në rast se injorohemi, situata do përshkallëzohet,  ne e dimë se çfarë kërkojmë. Unë jam i pari që do të futem në grevë urie, sepse nuk po dalim në rrugë për politikë, por për të drejtat e studentëve,” – tha një student.

“Të mos guxojë njeri të bëjë dialog me kryeministrin në emrin tonë në Facebook. Nuk ka dialog dhe nuk ka negociata. Ne nuk kemi përfaqësi dhe nuk kemi faqe facebook. Çdokush nga ne është përfaqësi këtu. Merru me FRESSH-istët e tu dhe jepu ndonjë sufllaqe atyre,” – tha një tjetër.

Rikujtojmë se studentët i kanë dorëzuar një listë me 8 kërkesa Ministrisë së Arsimit dhe i kanë dhënë ultimatum deri të martën për plotësimin e të gjitha kushteve.

Ata kërkojnë përgjysmim të tarifave të shkollimit, kartë studentore me përfitime lehtësuese, rishikim të kurrikulave shkollore në universitete; komision në universitet që të mbrojë të drejtat e studentëve etj.