Ballina Aktualitet Tiranë, studentët protestues ultimatum për grevë urie

Tiranë, studentët protestues ultimatum për grevë urie

Protestës së studentëve në Shqipëri për kushte më të mira në arsimin e lartë i janë bashkuar mijëra gjimnazistë. Studentët paralajmërojnë për grevë urie.

Protesta e studentëve për ndryshimin e sistemit të arsimit të lartë hyn të martën (11.12.) në një fazë të re për nga masiviteti dhe mjetet për realizimin e kërkesave të saj. Maturantët e gjimnazeve të Tiranës dhe qyteteve të tjera janë bashkuar protestës, duke e bërë atë më masiven e viteve të fundit. Mjeti i realizimit të kërkesave të tyre sot mund të ndryshojë: nga protesta paqësore, duke u kthyer në grevë urie si pasojë e ultimatumit dhënë qeverisë, nëse deri të martën pasdite nuk plotësohen kërkesat.

Ultimatumi vjen pas refuzimit që studentët protestues i bënë të hënën (10.12) ftesës së kryemnistrit Edi Rama për të zhvilluar një takim dhe biseduar me ta për zgjidhjen e situatës. Studentët kërkojnë që të shkojnë në bisedime pasi kërkesat e tyre kryesore të jenë plotësuar: ulja 50% të tarifës së studimit, dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, rritja e pranisë së studentëve në bordet vendimmarrëse të universiteteve publike.