Ballina Aktualitet Tiranë, studentët i përgjigjen Ramës: S’ka dialog, plotësoni kërkesat

Tiranë, studentët i përgjigjen Ramës: S’ka dialog, plotësoni kërkesat

Pas kërkesës së përsëritur të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët, në ditën e tetë të lëvizjes së tyre protestuese, ata kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit duke iu kundërpërgjigjur mbi dialogun.

Deklaratës së Ramës për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre.

“Politika ka 28 vjet që na ka sjellë në këtë derexhe. Kur padrejtësitë bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë.

Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë,” – tha një prej studentëve.

Një tjetër studente para Kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.

Ndërkohë ndryshe nga ditët e tjera, sot studentët nuk kanë pasur pankarta por fletë të bardha formati në duar. Nuk ka as fjalime me megafon, as folës.