Ballina LAJME Tiranë, Spiropali: Nga bixhozi u kemi kursyer 50 mln dollar shqiptarëve

Tiranë, Spiropali: Nga bixhozi u kemi kursyer 50 mln dollar shqiptarëve

Në rolin e zëdhënëses së Qeverisë, Elisa Spiropali, e cila mban njëkohësisht edhe rolin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, përmes një deklarate nga Kryeministria bëri një bilanc për muajin e parë pa bixhoz në Shqipëri, pas futjes në fuqi të ligjit për ndalimin e lojërave të fatit, basteve sportive dhe kazinove.

Sipas shifrave të përmendura prej Spiropalit, në janar të vitit 2018, nga financat e familjeve shqiptare kanë shkuar në arkat e organizatorëve të lojërave të fatit apo basteve sportive plot 13 milionë dollarë, rreth 1.3 mld lekë, një shifër që shkonte në mbi 35 milionë dollarë po të llogarisësh – sipas Spiropalit, – edhe aktivitetet e bixhozit në të zezë.

“Pra në janar të vitit 2019, për shkak të ndalimit të bixhozit në Shqipëri janë kursyer afro 50 milionë dollarë nga shtëpitë e shqiptarëve,” – tha Spiropali.

Më tej, zëdhënësja e qeverisë tha se rezultojnë të mbyllura rreth 4364 adresa ku zhvillohej veprimtari bixhozi, me lojëra fati, baste sportive apo kazino. Ndërkohë, gjatë muajit të parë të këtij viti janë hapur 2.688 biznese të reja të vogla, shumica e të cilave në mjediset ku vjet ka pasur baste sportive apo kazino.