Ballina Aktualitet Tiranë, sot zgjidhet kryetari i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Tiranë, sot zgjidhet kryetari i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Sot pritet të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në garë janë katër kandidatë, ndërkohë që një ditë më parë Skënder Bruçaj, kreu aktual i KMSH, u tërhoq nga gara për një mandat të dytë.

Në garë për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë janë Islam Hoxha që është kryetari aktual i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH, Bujar Spahiu që mban detyrën e nënkryetarit të KMSH, Ylli Gurra që mban detyrën e myftiut të Tiranës dhe Gramoz Blliku që mban detyrën e myftiut të Lushnjës.

Kryetari i KMSH zgjidhet me votë të fshehtë nga Këshilli i Përgjithshëm i KMSH, i cili ka 96 anëtarë. Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka 51 anëtarë të përhershëm, që janë anëtarë për shkak të detyrave që mbajnë, siç janë kryetari dhe nënkryetarët e KMSH, anëtarët e Kryesisë së KMSH, myftinjtë dhe nënmyftinjtë e rretheve. Ndërkohë, anëtarët e përkohshëm janë përfaqësues të komunitetit të besimtarëve, që zgjidhen nga këshillat e myftinive të rretheve.

Mandati i kryetarit të KMSH zgjat pesë vjet. Rezultatet e votimit pritet të bëhen publike sot pasdite.