Ballina Shëndetësi Tiranë, skandal, sallonet e thonjve, vatra të sëmundjeve të rënda

Tiranë, skandal, sallonet e thonjve, vatra të sëmundjeve të rënda

Mungesa e kushteve të duhura higjieno-sanitare, në qendrat estetike në Tiranë ka ngritur në këmbë institucionet e shëndetësisë, pasi mësohet se sallonet e thonjve në kryeqytet janë shndërruar në vatra të përhapjes së infeksione të ndryshme të rënda. Burime ekskluzive kanë bërë të ditur se në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza së fundmi janë regjistruar me dhjetra raste të vajzave të reja të diagnostikuara me infeksione dhe si burim i përhapjes kaq të gjerë dyshohet të jenë pikërisht sallonet e thonjve.

Dyshohet madje se mund të ketë dhe raste të infektimit me virusin vdekjeprurës HIV-AIDS, megjithatë një gjë e tillë nuk konfirmohet nga institucionet përgjegjëse.
Fluksi i madh i klienteve në qendrat estetike bën që tek persona të ndryshëm të përdoren të njëjtat pajisje, pa kaluar paraprakisht në fazën e sterilizimit, që është e domosdoshme në sallonet e thonjve ku rreziku i përhapjes së infeksioneve është shumë i madh. Kujtoni të gjitha rastet kur estetistja ju ka gjakosur kutikulat në përpjekje për t’i prerë sa më pranë sipërfaqes së thonjve, e njëjta gjë mund të ndodhë me një kliente të sëmurë!

Sipas ekspertëve të mjekësisë, përhapja e HIV-it nga pajisjet që përdoren në qendrat estetike është një fenomen i rrallë, megjithatë ka pasur raste të regjistruara. Më i bujshmi është ai i një vajze 22-vjeçare braziliane në vitin 2014, e cila u diagnostikua me HIV pasi përdori të njëjtat pajisje për thonjtë me kushërirën e saj.