Ballina Aktualitet Tiranë, Ruçi pret në takim delegacionin nga Malta

Tiranë, Ruçi pret në takim delegacionin nga Malta

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka pritur sot në një takim një delegacion parlamentar dhe qeveritar të Maltës. Delegacioni kryesohej nga Deo Debattista, Sekretar Parlamentar i Maltës dhe Përgjegjes për Autoritetin e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, por bashkë me të ishin edhe përfaqësues të institucione të tjera të Maltës si Autoriteti Mjekësor, Bordi Kombëtar i Akreditimit, Mbrojtja e të Dhënave Personale si edhe deputetë dhe drejtues e përfaqësues të instucioneve dhe agjencive të tjera qeveritare.
Ruçi në fjalën e tij vlerësoi marrëdhënien e Shqipërisë me Maltën, teksa paralajmëroi edhe nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë.

“Malta përbën një udhëhartë drejt zhvillimit, integrimit, paqes e stabilitetit. Traktati i Miqësisë ndërmjet Maltës dhe Shqipërisë, i cili pritet të nënshkruhet së shpejti, do të jetë një konfirmim i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera, si dhe një shprehje e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për të promovuar dhe për t’i intensifikuar ato në të ardhmen.” nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik, si një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe, duhet të përfshihet në prioritetet e bashkëpunimit të ardhshëm bilateral, për zbatimin me efikasitet të marrëveshjeve dypalëshe.
“Bashkëpunimi ynë me Maltën mund të fuqizohet dhe në fushat e forcimit të konkurrencës në treg, si parakusht për zhvillimin, shërbime publike eficente dhe të përballueshme nga qytetarët. “ vuri në dukje Ruçi.