Ballina Aktualitet Tiranë, rivlerësimi kalimtar, shkarkohet edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese

Tiranë, rivlerësimi kalimtar, shkarkohet edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Vendimi u mor pak çaste më parë, bazuar në faktin se subjekti nuk ishte në gjendje të justifikonte gjithë pasurinë që kishte.

Trupi gjykues, që kryesohej nga Ardian Hajdari, konstatoi se subjekti i rivlerësimit, në këtë rast gjyqtari Bashkim Dedja, kishte pasaktësi edhe në dokumentacionin e paraqitur.

Vetë Bashkim Dedja nuk ishte në sallë në momentin e shpalljes së vendimit.

Me rrëzimin edhe të Bashkim Dedjas, Gjykata Kushtetuese mbetet aktualisht vetëm me një anëtar. Kryegjykatësi kushtetues Bashkim Dedja e kaloi me sukses testin e rivlerësimit kalimtar në shkallën e parë, por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u apelua nga përfaqësuesit e Komisionerit Publik dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.