Ballina Aktualitet Tiranë, deklarata e kryeministrit Rama për mosdekretimin e Lleshit, reagon Presidenti i...

Tiranë, deklarata e kryeministrit Rama për mosdekretimin e Lleshit, reagon Presidenti i Republikës

Institucioni i Presidentit të Republikës ka hedhur poshtë insinuatat se mosdekretimi i emërimit të gjen. Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme përbën shkelje të dispozitave kushtetuese, duke theksuar se arsyet e mosdekretimit mund t’i bëhen të ditura Kuvendit, në rast se Kuvendi e kërkon një gjë të tillë.

Tedi Blushi, në cilësinë e zëdhënësit të Presidentit të Republikës, ka theksuar se “Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.”

Pak orë më parë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama e konsideroi si antikushtetues vendimin e presidentit Meta për të mos dekretuar emërimin e gjen. Sandër Lleshit si ministër i brendshëm.

Teksa ka bërë të ditur se “Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes,” sqarimi nga Institucioni i Presidentit të Republikës ka lënë të nënkuptohet edhe qëndrimi kundër drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga një zëvëndësministër. “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë,” – mbyllet reagimi i zëdhënësit të Presidentit të Republikës.