Ballina Aktualitet Tiranë, reagon ministri Lleshaj për çështjen “Dajti”: Nuk ka paqe derisa vendimi...

Tiranë, reagon ministri Lleshaj për çështjen “Dajti”: Nuk ka paqe derisa vendimi të zhbëhet

Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka folur për çështjen “Dajti”, e cila 48 orë më parë mori një drejtim krejt tjetër pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar vendimin për burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, gjë që do të thotë se dënimi tashmë është 25 vite burg.

Dritan Dajti u prangos në vitin 2009 dhe u vu nën akuzë për veprën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kryer ndaj policëve Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, vendim ky që tani u rrëzua nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.

Për këtë zhvillim, ministri i brendshëm Lleshaj, gjatë deklaratës së tij, tha: “Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si ministër i brendshëm, derisa ky vendim jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të Policisë së Shtetit të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.”