Tiranë, protesta para Kuvendit, një protestues largohet me ambulancë

21

Megjithëse nuk ka pasur konfrontime, protestuesit kanë hedhur shashka dhe me vuvuzela kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Njëri prej tyre është transportuar me ambulancë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, për shkak të shqetësimeve që kishte shfaqur.

Por, deri tani, nga sa raportojnë mediat, mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është protestuesi që është ndjerë keq.

Opozita e bashkuar proteston sot sërish kundër qeverisë. Protesta ka nisur në orën 10:00 në të njëjtën kohë kur Kuvendi nisi seancën plenare. Kjo është e katërta protestë e opozitës që prej 16 shkurtit. E para pati konfrontime dhe tentativë për të hyrë në Kryeministri, ku u thyen xhamat e dyerve dhe u përdor gazi lotsjellës nga ana e Policisë së Shtetit. Protesta e dytë u zhvillua pa konfrontime dhe kulmoi me dorëzimin e dorëheqjeve nga mandati të deputetëve të partive opozitare. Protesta e tretë u zhvillua një javë më parë, më 26 shkurt, ku pati një situatë të tensionuar dhe gaz lotsjellës nga ana e forcave të rendit.