Ballina Aktualitet Tiranë, protesta para Kuvendit, Kryemadhi: Mandatet tona janë të shqiptarëve, nuk ka...

Tiranë, protesta para Kuvendit, Kryemadhi: Mandatet tona janë të shqiptarëve, nuk ka kthim pas

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë para mijëra protestuesve duke mbrojtur policët dhe duke akuzuar qeverinë.

Kryemadhi tha se policët janë njësoj si gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më fasadë e narkoshtetit por të shqiptarëve. Ajo deklaroi se nuk ka më kthim pas.

“Motra dhe vëllezër, të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë prindërve të tyre e motrave të tyre. Ata policë që rrogat e tyre janë vetëm 300 mijë lekë të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës nuk mund të jenë ushtruesit e dhunës. Ata policë që janë njësoj si gjithë shqiptarët, që paguajnë faturën e energjisë si ju më shtrenjtë se ndonjëherë. Ata policë njësoj si ju kanë hedhur letra për legalizimet e shtëpive të tyre dhe Edi Rama përdor uniformën për t’i kërcënuar. Motra dhe vëllezër sot mandatet tona nuk janë mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit. Sot mandatet tona janë të shqiptarëve pavarësisht bindjeve. Sot mandatet tona janë për t’u kthyer edhe njëherë në 1990 për të thirrur ‘liri demokraci,” – deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi gjithashtu tha se mandatet digjen që të mos guxojë njeri të vijë në pushtet me paratë e drogës. Kryemadhi u shpreh se Rama është fshehur si miu.

“Mandatet tona sot nuk janë fasadë, por janë mandatet tona janë mandatet e naftëtarëve dhe të studentëve që në mënyrën më të bukur i nxorën bojën Edi Ramës. Nëse në çdo vend të Europës një kryeministër apo një deputet do faktohej se votat e tyre janë blerë me paratë 3 drogës të jeni të bindur se jo vetëm do ishin në burg, por do kishin djegur çdo cep të narkoshtetit. Djegia e mandatave tona nuk ka të bëjë me pozicionet politike, por me fundin e tranzicionit. Mandatet tona digjen që të mos vijë më njeri në pushtet me paratë e krimit. Nuk ka më kthim pas pasi do na mallkojnë fëmijët tanë. Rama ka ikur sepse po të ishte i fortë ai sot do ishte në atë sallë. Nuk do ikte si Arabati që nuk rri në një vend. Fshihet si miu mes vrimave të krimit dhe të drogës,” – tha Kryemadhi.