Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e studentëve, Universiteti i Arteve mbështet kërkesat e tyre

Tiranë, protesta e studentëve, Universiteti i Arteve mbështet kërkesat e tyre

Senati Akademik i Universitetit të Arteve vendosi sot të mbështesë kërkesat e formuluara nga studentët, duke argumentuar se përgjysmimi i tarifave të shkollimit ishte mëse i nevojshëm. Senati Akademik i Universitetit të Arteve i ka kërkuar Bordit të Administrimit përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm për rishikimin e tarifave, duke garantuar transparencë maksimale dhe realizimin e tyre brenda vitit akademik 2018-2019.

Në këtë mënyrë, Universiteti i Arteve ka ndërmarrë të njëjtin hap si Universiteti i Tiranës dje, i cili vendosi të pranojë plotësimin e disa kërkesave të studentëve, duke i dërguar Bordit të Administrimit projekt-vendimet përkatëse.

Universiteti i Arteve ka marrë përsipër përfshirjen në statut dhe rregulloret e brendshme të institucionit, kodifikimin e rregullave të qarta që do të garantojnë pjesëmarrjen e nevojshme të studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare, si edhe të ngrejë një grup të përbashkët pune, nga pedagogë dhe studentë, për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura dhe çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së Universitetit të Arteve.