Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e studentëve: Ulni tarifat, këtu do rrimë

Tiranë, protesta e studentëve: Ulni tarifat, këtu do rrimë

Protesta e studentëve për plotësimin e kërkesave të tyre, ka vijuar edhe në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, duke sfiduar të ftohtin para godinës së Kryeministrisë me thirrjet : “Ulni tarifat, këtu do të rrimë!”.

“Tarifat në shkollën tonë janë shumë të larta rreth 400 mijë lekë dhe duhej paguar në këto kohë. Një kredit tarifohej në 6700 lekë të vjetra. Kam dhjetë ditë që rri në këmbë këtu. Do të vazhdoj të rri këtu. Nuk dua të përballem me padrejtësitë. Familja ime sakrifikon shumë për studimet e mia.  Kam patur një mbështetje nga prindërit, familjarët. Por edhe një zonjë na ka sjellë petulla të vogla dhe më kujtoi mamin tim. Nuk do shkoj të dialogoj me të. Ka tetë kërkesa, janë të thjeshta. Kërkesat tona mund t’i bëj me një firmë,” – tha një studente e Arkitekturës.

Ndërsa një student tjetër deklaroi se sfidë për ta janë temperaturat e ulëta, e se do të vazhdojnë të protestojnë para Kryeministrisë duke sfiduar të ftohtin, nëse nuk përmbushen kushtet.

“Sot është dita e dhjetë që rri këtu. Edhe sot një pjesë e protestuesve do ta gdhijë para Kryeminstrisë. Nuk mund t’i vëmë fajin  policëve sepse ata marrin urdhra nga të tjerët. Të gjithë na mbështesin, duke filluar nga fëmijët e deri tek pleqtë,” – shtoi ai.