Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e studentëve, Policia e Shtetit “përgënjeshtron” ministrin Lleshaj

Tiranë, protesta e studentëve, Policia e Shtetit “përgënjeshtron” ministrin Lleshaj

Policia e Shtetit, në një njoftim për mediat, ka reaguar lidhur me protestat që zhvillohen në kryeqytet dhe, në njëfarë mënyre, ka “përgënjeshtruar” qëndrimin e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj. Më herët, ky i fundit, në fjalën e tij në Kuvend, deklaroi se nuk ka procedime penale ndaj studentëve apo pedagogëve protestues, ndërkohë që Policia e Shtetit ka bërë të ditur se procedime ka, por pa dhënë detaje se kush është preceduar.

“Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh, të cilat kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pacënuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve, – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. – Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike.”