Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e studentëve, Avokati i Popullit: Të përgjysmohen tarifat

Tiranë, protesta e studentëve, Avokati i Popullit: Të përgjysmohen tarifat

Studentët do të dalin sot për të 14-n ditë në shesh, duke vijuar protestën e tyre kundër tarifave të larta të studimit dhe kushteve skandaloze në konvikte e fakultete.
E teksa “revolta” e tyre nuk shfaq premisa për t’u ndalur duke “paralizuar” kështu aktivitetin në auditore, përkrah studentëve është rreshtuar edhe Avokati i Popullit.
Nëpërmjet një deklarate për mediat AP kërkon që të bëhet përgjysmimi i tarifave të studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë,  dhe ata me aftësi të kufizuara.

“Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018,” – thuhet në deklaratë.

Sipas AP, “Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh”

Sipas AP, autoritetet arsimore duhet që sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

“Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar,” – përfundon njoftimi.