Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e radhës së opozitës, të enjten para Kuvendit (VIDEO)

Tiranë, protesta e radhës së opozitës, të enjten para Kuvendit (VIDEO)

Të enjten, ditën kur është thirrur mbajtja e seancës plenare të Kuvendit, opozita ka vendosur të protestojë. Qytetarët janë ftuar nga opozita t’i bashkohen protestës që në orën 9:30 minuta, ndërkohë që mësohet se do të përdoren edhe elementë simbolikë, për të treguar, sipas opozitës, se parlamenti është produkt i krimit.

Opozita pritet të fokusohet tek dosja 399 e krimit elektoral në Durrës, por edhe tek ajo 184, ku, sipas opozitës, ka fakte kompromentuese të kryeministrit dhe dy ish-ministrave për përdorimin e botës së krimit në zgjedhjet e Dibrës.

Nga selia blu nuk bëhen të ditura detaje për mënyrën se si do të zhvillohet kjo protestë, e cila është e gjashta që prej 16 shkurtit. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i tha dje drejtuesve të degëve të forcës politike që ai drejton se kryefjalë e aksionit opozitar do të jenë protestat, duke kërkuar pjesëmarrje masive në këto tubime, të cilat vijnë pasi opozita morri vendimin e djegies së mandateve parlamentare. Basha tha se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.