Tiranë, protesta e opozitës së bashkuar, Kuvendi ndryshon orarin e seancës plenare

38

Partia Demokratike dhe forcat e tjera politike të opozitës së bashkuar organizojnë sot protestën kombëtare të radhës, me thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama. Tubimi opozitar, i njoftuar për sot në orën 20:00, do të jetë i njëjtë me tubimet e tjera masive të organizuara muajt e fundit.

Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se qyterët mblidhen para Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Ramës, në një kohë kur ky i fundit tashmë ka marrë edhe 100 përqind të pushtetit vendor pas zgjedhjeve të zhvilluara pa pjesëmarrjen e opozitës.

Ndërkohë, Kuvendi do të mbajë sot në orën 17:00 seancën e posaçme plenare për ngritjen e komisionit të përkohshëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mazhoranca akuzon kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën me dekretin për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Fillimisht, seanca plenare e Kuvendit ishte thirrur për në orën 18:00, por më pas ajo u afrua në orën 17:00 me qëllim që të mbarojë para nisjes së protestës së opozitës.