Ballina Aktualitet Tiranë, protesta e opozitës, përfaqësitë diplomatike bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

Tiranë, protesta e opozitës, përfaqësitë diplomatike bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

Delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë reaguar për tensionet e krijuara gjatë protestës para Kryeministrisë. Përmes një postimi në Twitter, ato apelojnë që palët të bëjnë çmos për të shmangur dhunën.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane, – thuhet në reagim. – Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm.”

Njëkohësisht, një reagim përmes një postimi në Facebook ka ardhur edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive,” – theksohet në reagimin e përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë.