Ballina Aktualitet Tiranë, presidenti Meta vlerëson veprimtarin Skënder Thaçi me dekoratën “Nënë Tereza”

Tiranë, presidenti Meta vlerëson veprimtarin Skënder Thaçi me dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nënë Tereza” veprimtarin Skënder Thaçi.

Në ceremoninë solemne të zhvilluar në Presidencë, ku merrnin pjesë personalitete të shumta të jetës publike në vend, Meta i akordoi koordinatorit të shoqatës bamirëse “Albania-Austria Partnerschaft”, partner kryesor i bamirëses austriake, Marianne Graf në të gjitha projektet humanitare në Shqipëri, dekoratën e lartë me motivacionin:

“Për kontributin e dhënë për realizimin e një numri të konsiderueshëm projektesh për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe shëndetësor, si dhe ndihmesën ndaj shtresave në nevojë në zona të ndryshme të Shqipërisë”.

Në fjalën përshëndetëse, Meta vlerësoi kontributin e Thaçit për punën dhe angazhimin e tij kushtuar arsimimit dhe kujdesit shëndetësor, mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, përmirësimit të infrastrukturës, kryesisht në zonat rurale si dhe projekteve në ndihmë të grave.

Pas marrjes së dekoratës, Skënder Thaçi u shpreh ndër tjera se: “Faleminderit President Meta për këtë vlerësim të lartë që më keni bërë sot! Gjithë jetën do të jem në shërbim të vendit tim me nder dhe krenari”.