Ballina Aktualitet Tiranë, Presidenca ngjyroset portokalli, presidenti Meta: Jo amnisti për dhunuesit

Tiranë, Presidenca ngjyroset portokalli, presidenti Meta: Jo amnisti për dhunuesit

Presidenca do të ngjyroset portokalli mbrëmjen e sotme dhe arsyeja është shumë e fortë. Këtë njoftim e ka bërë presidenti Ilir Meta në një status në Facebook, ku jep një mesazh kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, presidenti Meta thotë se dhuna ndaj tyre nuk është burrëri, por dobësi. Për këtë arsye Presidenca i bashkohet fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli”. Presidenti i Republikës deklaron prerazi se nuk do të amnistojë në fundvit asnjë të dënuar për dhunë në familje.

“Dhuna fizike e verbale ndaj grave dhe vajzave është dobësi! Nuk është burrëri! Është një plagë e shenjë turpi për shoqërinë, një pengesë e madhe për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave i bashkohem fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli” duke i dhënë sot në mbrëmje këtë ngjyrë Institucionit të Presidencës. Përsëris qëndrimin tim të palëkundur për të mos amnistuar asnjë të dënuar për vepra penale të dhunës në familje” – shkruan Presidenti i Republikës në profilin e tij në Facebook.