Ballina Aktualitet Tiranë, pranohet kërkesa, gjykim i shkurtuar për Klement Balilin (VIDEO)

Tiranë, pranohet kërkesa, gjykim i shkurtuar për Klement Balilin (VIDEO)

Gjykata për Krimet e Rënda ka pranuar kërkesën e bërë nga Klement Balili për gjykim të shkurtuar. Këtë të hënë, trupa gjyqësore, që përbëhej nga Flora Hajredinaj, Liljana Baku dhe Ardit Mustafai, vendosën që dosja të nisë gjykimin e shkurtuar. Kjo kërkesë ishte bërë në seancën e kaluar nga Theodhori Sollaku, avokati i Balilit, i cili tashmë ka pranuar të gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.

Klement Balili është konsideruar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” dhe akuzohet për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike, pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, për mosdeklarim të pasurisë dhe për veprën penale të pastrimit të parave.

Klement Balili, një nga njerëzit më të kërkuar në vend për trafik ndërkombëtar droge, u vetëdorëzua më 15 janar, pas gati dy vitesh arrati. Ai u shpall në kërkim nga autoritetet greke dhe amerikane, pasi u akuzua për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.