Tiranë, opozita dhe gazetarët kundër censurës mediatike, Basha: Do të zhbëjmë paketën “antishpifje”

0
1

Kundërshtimi mbi paketën e ligjeve antishpifje të qeverisë mblodhi në një tryezë opozitën dhe përfaqësues të medias. Duke deklaruar se pa liri të medias nuk ka liri politike, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u zotua se nuk do të njohë këtë legjislacion nëse mazhoranca e kalon në Kuvend dhe sapo të vijë në pushtet do ta anulojë.

“Situata me të cilën media po ballafaqohet është një ofensivë kundër lirisë së shprehjes, – tha lideri demokrat Lulzim Basha. – Nuk jemi në pozita paternalizmi për t’ju marrë në krahët e opozitës. Pa lirinë e medias nuk ka liri politike. Këtu jemi si partnerë në një interes, në interesin e informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi është objektiv i qeverisë dhe Ramës, arrestimeve, presioneve financiare, duke ngushtuar informimin. Kjo është një vijë e kuqe e papranueshme për ne, Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar. Kjo është një luftë e shpallur kundër lirisë së medias… Nëse çmenduria çohet deri në fund në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetarëve të pezullojmë çdo masë të tillë arbitrare.”

Në të njëjtën linjë ishin dhe gazetarët e pranishëm në tryezë, të cilët i kërkuan opozitës të jetë në mbështje të tyre për të penguar kalimin e kësaj pakete ligjore.

“Ky ligj është një kërcënim për fjalën e lirë, – tha Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarvëve Shqiptarë. – Vijmë këtu në këtë takim sepse e konsiderojmë një çështje shumë të rëndësishme për pluralizmin. Asnjëherë nuk ka pasur një adresim të tillë censurues mbi një draft të tillë siç po bën qeveria. Ky draft mbart në vetëvete probleme shumë serioze në institucionalizmin e censurës.”