Ballina Aktualitet Tiranë, Monika Kryemadhi fton të gjithë në protestë, të hënën: Ky vend...

Tiranë, Monika Kryemadhi fton të gjithë në protestë, të hënën: Ky vend mund të bëhet

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se studentët kanë të drejtë që nuk pranojnë negociata dhe dialog, sepse nuk kanë çfarë të bisedojnë me Edi Ramën. Për këtë, ajo tha se çdo negociator, Edi Rama e këmben në para, vende pune dhe kompani “offshore”.

Në një takim me strukturat e LSI-së në Durrës, mesditën e kësaj të shtune, ajo tha se “Edi Rama nuk ka si të negociojë me studentët, ndërkohë që është tallur me ta.

“Ai i kishte në Parlament 8 kërkesat e studentëve dhe nuk dënjoi që t’i shqyrtonte, jo më t’i miratonte”, – tha kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi i’u bëri thirrje të pranishmëve që ditën e hënë t’iu bashkohen studentëve, pa flamuj partiakë dhe pa karta anëtarësie, e se nëse qytetarët nuk bashkohen në protestë do të jetë shumë vonë për rininë dhe Shqipërinë.

“O sot, o kurrë. Ne kemi shansin për t’iu dhënë një shpresë të rinjve shqiptarë! Ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet, por vetëm Edi Rama nuk bëhet. Ai mban peng zhvillimin e Shqipërisë, negociatat e Shqipërisë, reformat dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Ndaj, të hënën, të gjithë duhet të dalim në protestë”, – deklaroi kryetarja e LSI-së.