Ballina Ekonomi / Biznes Tiranë, misioni i FMN: Rritja e shpejtë e partneriteteve publike-private ka shtuar...

Tiranë, misioni i FMN: Rritja e shpejtë e partneriteteve publike-private ka shtuar risqet fiskale

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë shqiptare që të bëjë kujdes me koncesionet e partneritetit publik-privat. Shefi i misionit të FMN për Shqiperinë, Jan Kees Martijn, tha se “edhe pse ato janë investime, duhet të monitorohen risqet që i sjellin buxhetit.”

“Rritja e shpejtë e partneriteteve publike-private i ka rritur risqet fiskale, çka kërkon përmirësime të tjera shtesë në kuadrin për investimet publike,” – ka thënë Kees Martijn, në përfundim të një takimi të përbashkët me ministrin e financave dhe të ekononisë Arben Ahmetaj dhe guvernatorin Gent Sejko.

Ndërsa vlerësoi rritjen ekonomike, zyrtari i lartë i FMN u shpreh se është shumë e rëndësishme zbatimi i reformave për të ulur emigracionin. “Nevojiten përpjekje të vendosura për ta përmirësuar klimën e biznesit që të nxitet një rritje më e shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse si dhe integrim më i fortë rajonal, në mënyrë që të dobësohen shtysat për të emigruar,” – ka shtuar shefi i misionit të FMN në Tiranë.