Ballina LAJME Tiranë, miratohet në Kuvend heqja e roaming-ut me Kosovën

Tiranë, miratohet në Kuvend heqja e roaming-ut me Kosovën

Qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë tarifa shtesë për përdorimin e celularit në Kosovë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qytetarët e Kosovës kur vijnë në Shqipëri. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në prani edhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe POstare (AKEP), në cilësinë e komisionit përgjegjës miratoi dje projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputetit Eduard Shalsi.

Në datën 30 maj, Kuvendi ka miratuar një rezolutë për heqjen e Roamingut, pasi një gjë të tillë e ka bërë edhe Kosova. Ndërkohë, u gjykua që të kalohet me një propozim konkret dhe të miratohet në Parlament heqja e roamingut nëpërmjet një ligji. Kjo përfshin edhe tarifat e shërbimeve të lidhura me roaming-un ndërkombëtar. Ky ndryshim ligjor mundëson që roaming të hiqet edhe me vendet e tjera. Ai krijon hapësirën e duhur për AKEP-in, për rregullimin e tarifave të roaming-ut ndërkombëtar.

Sipas të dhënave të AKEP-it, Kosova është vendi me të cilin shkëmbehet më shumë trafik në “Roaming” ndërkombëtar, në vendet e rajonit, ndaj dhe heqja e tarifave me marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Kosovë do të sillte përfitime të mëdha për qytetarët e të dyja vendeve.