Ballina Aktualitet Tiranë, ministrja Xhaçka: Gati projektligji për riorganizimin e Emergjencave Civile

Tiranë, ministrja Xhaçka: Gati projektligji për riorganizimin e Emergjencave Civile

Riorganizimi i Emergjencave Civile nuk mund të mjaftohet vetëm me kalimin e tyre nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu deklaron ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka në profilin e saj në Facebook, e cila thekson se përvoja e viteve të fundit na ka mësuar që Emergjencat Civile kanë nevojë për përmirësime edhe sa i përket kuadrit ligjor.

“Kemi gati projektligjin që synon ngritjen në një nivel më të lartë të efektivitetit të sistemit të mbrojtjes civile, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve, të subjekteve private, organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile, dhe të shtetasve në tërësi. Projekt-ligji përcakton më qartë se kurrë përgjegjësitë e pushtetit qëndror e lokal, përcakton parashikimet në buxhet për emergjencat dhe është në përputhje me direktivat e BE,” – shkruan ministrja Xhaçka.

Sipas saj, projektligji rrit rolin e prefektit të qarkut dhe krijon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të ketë kapacitete shumë më të mëdha administrative, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera.