Ballina Aktualitet Tiranë, ministrja Qato: Qeveria, e gatshme për zgjidhjen e problematikave të studentëve

Tiranë, ministrja Qato: Qeveria, e gatshme për zgjidhjen e problematikave të studentëve

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato u shpreh se qeveria është e gatshme për t’i dhënë zgjidhje 8 pikave të kërkesës së protestës së studentëve.

“Qeveria që në orët e para të protestës së studentëve, ka shprehur gatishmërinë e saj, vetë Kryeministri Edi Rama ka qenë në krye të fjalës, për të qenë sa më pranë studentëve për të pranuar këtë protestë si një protestë të tyre dhe një të drejtë të tyre, për të realizuar ato kërkesa që ata aspirojnë, të cilat i kanë bërë dhe zyrtare tashmë nëpërmjet 8 pikave apo 9 pikave tashmë, pasi është plotësuar edhe një pikë ca ditë më parë, për tarifat e personave me aftësi të kufizuar, ku ka marrë të gjithë angazhimin maksimal për t’i plotësuar të gjitha pikat e paraqituara nga studentët, si një rezyme e protestës së tyre,” – tha Qato.

Ajo theksoi se, qeveria ka qenë shumë e hapur jo vetëm për të plotësuar këto pika, por për të shkuar edhe përtej këtyre pikave, me qëllim që e gjithë kjo protestë të finalizohet me një konkluzion konkret në dobi të studentëve dhe arsimit.

Ministrja Qato siguroi se qeveria është shumë e përgjegjshme për nevojat e qytetarëve, ndaj dhe reformat synojnë të përgjigjen kësaj kërkese për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

“Eshtë një protestë e konsideruar nga qeveria e drejtë ndaj jemi shumë të hapur për të dialoguar me studentët për të përmirësuar dhe bërë më të mirën për arsimin dhe për ta,” – shtoi më tej ajo.