Ballina Ekonomi / Biznes Tiranë, ministrja Nikolla prezanton buxhetin 2019: Rritje me 1.1 mld lekë

Tiranë, ministrja Nikolla prezanton buxhetin 2019: Rritje me 1.1 mld lekë

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë mbi shpërndarjen e buxhetit për vitin 2019. Ministrja para komisionit deklaroi se buxheti i akorduar kap shifrën e 39.1 miliard lekëve dhe përmbush pritshmëritë për thellimin e reformave, rritjen e pagës për mësuesit, shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe sigurimin e transportit për nxënësi dhe mësuesit nga klasat kolektive. Nga salla e Kuvendit ministrja detajoi edhe risitë që ky buxhet do të sjellë, me fokus të veçantë, rritjen e cilësisë në arsimin shqiptar.

“Buxheti për vitin 2019 është 39.1 miliard lekë dhe ka rritje me 1.1 miliard lekë. Është një buxhet që ka disa risi. Për herë të dytë mundëson rritjen e pagave për mësuesit në masën 7% me efektet financiar 1.3 miliard lekë. Premtimi ynë mbetet rritja e pagave në masën 40% deri në fund të mandatit. Do të jetë një buxhet që shton vëmendjen tek gjithëpërfshirja dhe barazia. Mësuesit ndihmës, me buxhetin e 2019 do të kemi 1 mijë mësues ndihmës, me rreth 900 milion lekë efekt financiar. Ambicia jonë është që çdo fëmije që do mësues ndihmës, ne ta sigurojmë atë.Risi e këtij buxheti janë edhe 150 oficerë sigurie, me një buxhet 125.8 milion lekë,”-deklaroi Ministrja.

Gjatë seancës në komision, ministrja nuk la pa përmendur as arsimin e lartë i cili këtë vit merr 8.1 miliard lekë ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Nikolla rikonfirmoi se do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve por nga investigimi i bërë në shumë universitete ajo deklaroi se ka një fryrje të stafeve të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve.

“Buxheti 2019, Arsimit të lartë i shtohen 410 milion lekë më shumë së një vit më parë. Pagat e pedagogëve do të mbulohen në 12 muaj nga buxheti i shtetit. Po monitorojmë punën e bordeve, administratorëve, dekanëve dhe rektorëve me strukturën universitare. Kemi konfirmuar se ka tejkalim të normës së punonjësve administrativë mbi 33% në disa universitete. Ndaj ne do bëjmë publike këtë investigim dhe do ndërhyjmë që taksat të shkojnë aty ku duhet dhe jo për nderet e radhës duke punësuar pa kriter,”- u shpreh Nikolla.