Ballina Aktualitet Tiranë, ministrja Nikolla mbledh rektorët për protestën e studentëve

Tiranë, ministrja Nikolla mbledh rektorët për protestën e studentëve

Një reagim nga qeveria pas lëvizjes masive të studentëve në Universitetet kryesore të vendit. Ministria e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla ka mbledhur me urgjencë rektorët dhe dekanët e fakulteve të Tiranës. Kështu bëjnë me dije burime nga MAS të cilët thanë se Nikolla do të ketë takim me disa rektorë dhe dekanë.

Mbledhja e Nikollës vjen pas protestës së studentëve që vazhdojnë ende të qëndrojnë para Ministrisë duke kërkuar përgjysmim të tarifave të shkollimit dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura.
Dy ditët e fundit studentët kanë braktisur universitetet duke bojkotuar mësimin në të gjitha fakultetet.

Ndërkohë dje ministrja Nikolla la të hapur për diskutim tarifën që duhet të paguanin studentët në varësi të krediteve të mbartura.
Në lidhje me pikën 4 të VKM-së që detyron studentët të paguajnë për provimet e prapambetura, ministrja tha se ajo s’ka hyrë ende në fuqi.

“Jemi të vendosur që vit pas viti në buxhet të adresojmë projekte investuese në Qytet Studenti dhe në institucione të tjera. Ashtu sikur është e vërtetë që në Tiranë janë investuar në 4 godina te studentëve. Janë dhe 6 mln euro për të rikonstruktuar 8 godina në QS. Për të kaluar në atë që është kërkesa e parë, te shqetësimi i studentëve. Anulimin e VKM, pikën 4. Këtu kam dy VKM, atë të vitit 2013; që thotë se studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi. Ndaj kjo është e njëjtë dhe tashmë. Për të gjithë ata student, e përsërit me respektin maksimal se janë në të drejtën e tyre të protestojnë, ai nuk ka hyrë në fuqi për këtë vit. Jam e hapur që të mblidhet Këshilli i Ministrave që kjo pikë të diskutohet nga universitetet. Jam e gatshme që të gjendet një zgjidhje për këtë pikë,”- tha Nikolla.