Ballina Aktualitet Tiranë, ministrja Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore Laprakë

Tiranë, ministrja Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore Laprakë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi në orët e mbrëmjes qendrën shëndetësore të Laprakës e cila është kthyer në qendër 24 orëshe për të përballuar fluksin në sezonin e dimrit.

“Qendrat shëndetësore ofrojnë shërbim pa ndërprerje për urgjencat pediatrike, ndaj nuk është e nevojshme të shkohet në QSUT por shërbimi mund të merret afër vendbanimit”, -tha Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën nr. 7 në Laprakë.

Me shtimin e virozave të stinës, Qendra shëndetësore nr. 7 Laprakë, Qendra shëndetësore nr. 10 tek Oxhaku, qendra shëndetësore nr. 6 në Kombinat dhe Qendra Shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut ofrojnë shërbim 24/7 deri në muajin Mars.

Paralelisht, sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka shtuar numrin e mjekëve në Pediatrinë e QSUT për të përballuar fluksin e pritshëm. Mjekët pediatër do të menaxhojnë tre turnet e shërbimit mjekësor deri në fund të sezonit dimëror.