Ballina Aktualitet Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: Urgjencat janë në gjendje gadishmërie

Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: Urgjencat janë në gjendje gadishmërie

Pak orë nga ndërrimi i viteve, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një plan masash për rastet e urgjencave mjekësore që mund të kenë qytetarët në këto ditë festash.

Ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu, gjatë takimit me ekipin e urgjencës së Spitalit Universitar të Traumës, garantoi se nata e ndërrimit të viteve, në të gjithë vendin, do të shoqërohet nga një “shërbim i përforcuar me ekipe mjekësore gjatë ditëve të festave dhe autoambulanca në sheshet kryesore të qyteteve, për të garantuar shërbim të shpejtë në rast të urgjencave mjekësore dhe më shumë siguri për qytetarët.”

Në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në sheshet ku do të festohet ndërrimi i viteve është vendosur një autoambulancë nga ora 19:00 deri në përfundim të festës.

Nisur nga rritja e numrit të thirrjeve të urgjencës gjatë ditëve të fundit, janë marrë masa edhe për shtimin e personelit me mjekë dhe infermierë në Njësinë e Koordinimit të Urgjencës Mjekësore, si edhe një ekip shtesë me mjekë dhe infermierë “on call”.

Sipas urdhrit të ministres Manastirliu, masat e përforcuara do të zbatohen nga të gjitha ekipet mjekësore në datat 31 dhjetor, 1 dhe 2 janar, për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve në rast nevoje nga qytetarët.