Ballina Aktualitet Tiranë, ministri Lleshaj: Detyra, nderi, atdheu ju diktojnë se çfarë duhet të...

Tiranë, ministri Lleshaj: Detyra, nderi, atdheu ju diktojnë se çfarë duhet të jeni

Gjatë ceremonisë së mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, që ndodhet pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti trupat e policisë dhe tregoi se pse zgjodhi rrugën për të hyrë në zyrë si ministër i Brendshëm.

Lleshaj u shpreh se nderimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, është një detyrim i përhershëm për këdo. Në fillim të ceremonisë ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë dhe më pas mbajti fjalën e rastit.

“Detyra, nderi, atdheu: këto tri fjalë të shenjta në mënyrë solemne, ju diktojnë se çfarë duhet të jeni, çfarë mund të jeni dhe çfarë do të jeni. Ato janë pika juaj e referencës për të ndërtuar kurajë, atëherë kur ajo duket se po ju braktis; për të rifituar besim, atëherë kur duket se pak gjë ka mbetur për t’u besuar; për të krijuar shpresë atëherë kur ajo ka humbur,” – citoi ministri fjalët e gjeneralit amerikan Douglas MacArthur.