Ballina Aktualitet Tiranë, ministri Bushati: Hiqet certifikimi i përkthimit nga ambasada italiane

Tiranë, ministri Bushati: Hiqet certifikimi i përkthimit nga ambasada italiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati së bashku me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillio, zhvilluan një konferencë për shtyp, ku lajmëruan mbi dakordësinë e arritur së fundmi mes dy ministrive të jashtme mbi procedurën e heqjen e certifikimit të përkthimit nga ana e Ambasadës Italiane.

“Procedura e heqjes së certifikimit nga ana e tyre, hyn në fuqi më 1 janar 2019 dhe përbën lehtësim për shtetasit tanë që konsiston si në shkurtim të afateve kohore, ashtu edhe të kostove financiare, duke marrë parasysh se ky proces, pra edhe certifikimi i përkthimit të dokumentit, tashmë do të përmbyllet pranë Sektorit të Legalizimit në MEPJ. Duke filluar nga 1 janar 2019, Sektori i Legalizimeve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të këtij dakordësimi, do të legalizojë dokumentin origjinal si dhe përkthimin e tij,” – tha Bushati.

Me marrëveshjen e re, pas përkthimit të dokumentit tek një noter, certifikimi i përkthimit nuk do të bëhet më nëpërmjet Ambasadës italiane por nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.