Ballina Aktualitet Tiranë, mbyllet protesta e opozitës, Basha: Kërkojmë qeveri tranzitore, të enjtën përsëri...

Tiranë, mbyllet protesta e opozitës, Basha: Kërkojmë qeveri tranzitore, të enjtën përsëri para Kryeministrisë

Pas më shumë se pesë orësh, opozita ka mbyllur protestën para godinës së Kryeministrisë, në Tiranë, ndërkohë që kreu demokrat Lulzim Basha ka lajmëruar se qytetarët do të jenë përsëri në shesh, ditën e enjte në orën 10:00.

“Dua sot, në emër të opozitës, t’u shpreh mirënjohjen më të thellë qindra mijëra shqiptarëve që i dhanë zë revoltës dhe kryengritjes qytetare, – tha lideri demokrat. – Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10:00 në protestën tjetër më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë.”

Teksa ka bërë të ditur se qëllimi politik i thirrjes së protestës ishte dorëheqja e Edi Ramës, qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme, Basha ka deklaruar se “ne do të vazhdojmë të jemi të vendosur kundër qeverisë hajdute.”

“Ditën e enjte, populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit, duke marrë fatin në duart e tij, – vijoi kryetari i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar. – Ndaj, ju ftoj të gjithëve, duke u falenderuar nga zemra për këtë qëndresë të jashtëzakonshme, të jemi edhe më shumë, edhe më të vendosur, edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhshme.”