Ballina Aktualitet Tiranë, mbyllet afati i aplikimeve për Prokurorin e Përgjithshëm, ja katër kandidatët

Tiranë, mbyllet afati i aplikimeve për Prokurorin e Përgjithshëm, ja katër kandidatët

Sot ka përfunduar afati për aplikimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm. Tashmë, edhe zyrtarisht, gara do të zhvillohet mes katër kandidaturave: Arta Marku, Fatjona Memçaj, Lulzim Alushaj dhe Olsian Çela.

Katër kandidaturat do të shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe vetëm tre prej tyre do të përzgjidhen për t’iu dërguar Kuvendit. Më pas, deputetët, me shumicë të cilësuar, njërin prej tre kandidaturave do ta zgjedhin në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën e nevojshme të votave, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm do ta bëjë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Arta Marku është prokurorja aktuale e përgjithshme me status të përkohshëm, Fatjona Memçaj është aktualisht prokurore pranë Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Lulzim Alushaj është avokat dhe Olsian Çela është aktualisht prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të rënda.