Ballina Aktualitet Tiranë, mblidhet KLP, hapet gara për Prokurorin e Përgjithshëm (VIDEO)

Tiranë, mblidhet KLP, hapet gara për Prokurorin e Përgjithshëm (VIDEO)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e zhvilluar sot, i ka hapur rrugë garës për prokurorin e ri të përgjithshëm, i cili do të zërë vendin e prokurores së përgjithshme të përkohëshme Arta Marku.

Njëkohësisht, në këtë mbledhje është miratuar edhe rregullorja për kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me vendim unanim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi rregulloren mbi kriteret dhe procedurën për zgjedhjen e kandidatëve për prokurorin e përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Prokurori i përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, dhe që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Njëkohësisht, kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit.

Pasi përzgjedh tre kandidatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e kalon këtë listë në Kuvend, ku duhen 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të organit qendror të akuzës.