Ballina Aktualitet Tiranë, lulishte dhe kënd lojrash tek “Arena Kombëtare”

Tiranë, lulishte dhe kënd lojrash tek “Arena Kombëtare”

Teksa stadiumi “Arena Kombëtare” po merr formë përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e zonës përreth.

Për shumë kohë, hapësira mbrapa stadiumit ka shërbyer si një vend depozitimi mbetjesh, pa asnjë funksion, kurse sot po rigjallërohet si një kënd lodrash dhe mjedis çlodhës.

“Jam shumë i lumtur që shoh një projekt të ri të dy ndërmarrjeve shembullore të Bashkisë së Tiranës, të cilat me forcat dhe mjetet e tyre po kthejnë një hapësirë të degraduar të qytetit, si fusha pas stadiumit “Qemal Stafa”, në një hapësirë fantastike për fëmijët e gjithë familjet e kësaj zone. Sigurisht, bëhet në vigjilje të hapjes së stadiumit në pranverën apo verën e vitit tjetër dhe besoj se shkon me premtimin tonë për të rikuperuar çdo hapësirë publike,” – tha Veliaj.

Rikualifikimi i kësaj sipërfaqeje i shton Tiranës një tjetër lulishte, e cila do të bëjë të mundur që kjo sipërfaqe e gjelbër të vizitohet nga çdo moshë. Projekti parashikon sistemimin e ambienteve çlodhëse për moshën e tretë, ndërtimin e një shatërvani, shtrimin e rrugicave me pllaka dekorative, vendosja e ndriçimit, spote ndriçues, bordurat konturuese, stolat, koshat, pemë, lule etj.