Ballina Aktualitet Tiranë, lirohen 10 nga 11 protestuesit e ndaluar para Kuvendit

Tiranë, lirohen 10 nga 11 protestuesit e ndaluar para Kuvendit

Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka vendosur t’i japë lirinë 10 prej të ndaluarve pas protestës tek Kuvendi, ndërsa ka lënë në burg vetëm njërin prej tyre. Të 11 të ndaluarit akuzohen për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe municioneve, për kundërshtim të punonjësit të Policisë së Shtetit, për organizimim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, si edhe për prishje të qetësisë publike.

Sa i përket të ndaluarve Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Marsel Velillari, Ruzhdi Daci, Shpati Bilbilaj, Erald Muçaj, Ali Nalic, Alban Ahmetcenaj, Paolo Ahmetcenaj dhe Lulzim Dozhani, trupi gjykues vendosi masën e sigurisë së detyrimit për paraqitje. Në këtë mënyrë, të ndaluarit e mësipërm u lanë të lirë.

Masa e sigurisë së arrestit me burg u vendos vetëm për të ndaluarin Dorjan Protoduari.

Gjatë kohës që pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë zhvillohej seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për personat e ndaluar, jashtë saj gjendeshin deputetë të ndryshëm të forcave opozitare, si Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka.