Ballina Aktualitet Tiranë, kundër tarifës, studentët e arkitekturës në protestë

Tiranë, kundër tarifës, studentët e arkitekturës në protestë

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës janë hedhur sot në protestë, në shenjë kundërshtie për tarifat e studimit.
Pasi kanë bojkotuar mësimin, studentët teksa qëndrojnë para godinës së këtij fakulteti, kanë kërkuar heqjen e tarifës prej 670 lekë për kredit për çdo provim të mbartur. Po ashtu ata kanë kërkuar që pagesa e tarifës së shkollës të kryhet në muajin janar, ashtu si për çdo vit tjetër dhe jo në muajin dhjetor.

“Jemi kundër asaj çka po ndodh në këtë fakultet. Kërkojmë që të zgjidhen këto tre kauza. Një student me 5 lëndë të mbartura në disa vite, shumëzim 5 kredite mesatarisht lënda, i bie afërsisht 3350 lekë të reja. Llogarit edhe tarifën e shkollës prej 40 000 lekësh. Kjo për ne është shumë. Po ashtu kërkojmë shtyrjen e afatit të pagesës vjetore të shkollës për në fund të janarit si çdo vit dhe jo deri me datë 15 dhjetor, ku shumica e studentëve nuk e kanë mundësinë të paguajnë para Vitit të Ri. Kjo pasi jemi të përgatitur për pagesën e saj në fund të Janarit si çdo vit tjetër. Një tjetër kërkesë që kemi parashtruar është edhe pagesa me këste për tarifën vjetore të shkollës”, pohuan studentët.