Ballina Aktualitet Tiranë, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi: Hidhni kartat e anëtarësisë, dilni në protestë

Tiranë, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi: Hidhni kartat e anëtarësisë, dilni në protestë

Gjatë një takimi me strukturat e LSI në Tiranë, kryetarja Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje anëtarëve të LSI që të hedhin kartat e anëtarësisë dhe të dalin në protestë në mbështetje të studentëve. Gjatë fjalës së saj ajo tha se ndihet mëkatare që nuk ka bërë asgjë më përpara për studentët dhe sot duhet të flasë.

“Kemi parë pas 28 vitesh një lëvizje të tillë. Kur i pashë studentët që rrinin në -2 gradë harrova që jam politikane, dhe mendova se sa bujar Zoti ka qenë me mua dhe me Edi Ramën. Mendova sa bujar kishte qenë Zoti me ministrat dhe oligarkët që marrin paratë. E ndjeva veten time në mëkat që nuk bëj asgjë. Që fëmijët e mi hanin tre vakte dhe flinin ngrohtë dhe ata 140 mijë studentë nuk hanë një vakt dhe duhet të paguajnë ryshfet për të gatuar dhe për të larë rrobat në konvikte. U ndjeva mëkatare sepse nuk kam bërë asgjë për ta dhe sot duhet të hap gojën dhe të flas. Rama bëri një skenar të turpshëm sot në Kuvend, ku kërkon negociata me fëmijë të pa ngrënë dhe me fëmijë që bëjnë punë për të paguar librat. Kërkon negociata me fëmijë të pa veshur. Hidhni kartën e anëtarësisë dhe dilni me studentët. Merrni flamurin kombëtar dhe hidhni flamurin e partisë.” – tha Kryemadhi.