Ballina Aktualitet Tiranë, kryeministri tek Akademia e Sigurisë: Rifreskim trupës policore

Tiranë, kryeministri tek Akademia e Sigurisë: Rifreskim trupës policore

Kryeministri Edi Rama ka folur sot para qindra studentëve që do të jenë pjesë e Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e hapjes së kursit të oficerit të Policisë Kriminale, në Akademinë e Sigurisë, kryeministri Rama tha se këta studentë të fakulteteve të ndryshme u përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve.

“Është një ditë e bukur për Policinë e Shtetit sepse hyn për herë të parë në fuqi një praktikë e re, hapja e dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës, – tha kryeministri Rama. – Studentë të fakulteteve të ndryshme, të cilët i bashkohen trupës së Policisë së Shtetit, duke sjellë dije të reja, energji të reja dhe mbi të gjitha një kulturë të re.”

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se, pas një dekade të tërë mbylljeje dhe braktisje, kjo akademi sot është kthyer në jetë dhe ka nevojë për më shumë akoma dhe në kuadër të paktit për universitetin edhe kjo akademi do përfshihet në programin e rindërtimit. “Nëse ju sot jeni prova e vullnetit për të pasur procese ku vlerësohet merita, puna dhe investimi i bërë nga ju dhe prindërit tuaj, këtë dëshmi mbajeni me vete dhe kujtoheni që të jeni të drejtë në vlerësimin tuaj në rrugën e karrierës. Uroj që drejtues të akademisë së bashku me ministrin, me Ministrinë e Brendshme, do të vënë në dispozicion të programit të rindërtimit një projekt ambicioz që të adresojë të gjitha nevojat e infrastrukturës,” – tha kryeministri Rama.