Ballina Aktualitet Tiranë, kryeministri Rama: Zhvillimi i Tiranës tregon diferencën mes partive

Tiranë, kryeministri Rama: Zhvillimi i Tiranës tregon diferencën mes partive

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë që u anëtarësuan në Partinë Socialiste duke e vënë theksin gjatë fjalimit të tij se jo të gjitha partitë janë njësoj, dhe se këtë e tregon historia e Tiranës, e djeshmja dhe e sotmja, si dhe fazat e zhvillimit të kryeqytetit kur qeverisi opozita dhe kur qeverisëm ne.

“Ata qeverisën në vitet ’90 edhe sot ne paguajmë pasojat e asaj historie të rëndë, ku natyrisht nuk është e gjithë përgjegjësia, i gjithë faji i tyre, sepse ishte një moment historik jashtëzakonisht i veçantë dhe i vështirë me ndryshime demografike, dyndje njerëzish, lëvizje, një shpërthim energjish nga një sistem komplet i mbyllur, komplet kolektivist, ku të gjithë duhet të ishin njësoj, në kuptimin e uniformës, në një sistem ku të gjithë kërkonin pronën, reklamonin të drejtën e tyre për të pasur një pronë, një kioskë, një veturë,” – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se po të marrim historinë që nga momenti i ndryshimit e deri më sot, e vetmja parti që nuk është lëkundur asnjë moment në raport me interesin kombëtar është Partia Socialiste, e vetmja.

Sipas tij, kjo është çështje e një vetëdije dhe kulture politike që i afekton njerëzit që janë pjesë e saj.