Ballina Aktualitet Tiranë, kryeministri Rama sulmon opozitën: Efektivja Nuka mund të ishte dëshmorja e...

Tiranë, kryeministri Rama sulmon opozitën: Efektivja Nuka mund të ishte dëshmorja e parë femër

Gjatë pjesëmarrjes në prezantimin e flotës së re të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama i kthehu përgjigje deklaratave të bëra nga eksponentë të opozitës, duke i kritikuar ashpër si nxitëse të protestës së dhunshme para dy ditësh tek Kuvendi, ku për pasojë u plagosën 15 policë dhe 3 banorë të Unazës së Re.

Kreu Rama u shpreh se efektivja Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur rëndë, ishte e pa trajnuar për të marrë pjesë në protestë dhe se 24-vjeçarja mund të ishte dëshmorja e parë police e rënë në krye të detyrës, nëse nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të hequr kapsollën.

“Jo më larg se 48 orë më parë një efektive e Policisë së Shtetit mund të kishte humbur jetën. Ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri të humbte vetëm gishtat e njërës dorë. Ajo vajzë i përket gjeneratës së të reja dhe të rinjve të shkolluar në akademinë e ri çelur të sigurisë. Akademia që u mbyll për vite të tëra, duke ndërprerë një cikël trajnimesh të pazëvendësueshëm për Policinë e Shtetit. Një ndër shumë vajzat që janë dallëndyshet e para të pranverës të sapo nisur për rigjenerimin e Policisë së Shtetit, përfshi edhe vajza dhe djem që stërviten çdo ditë. Humbi gishtat se nuk ishte e trajnuar, u tha nga ata që janë shkaktarë të nxitjes së dhunës, për përdorimin e lëndeve plasëse, që kodi penal e dënon si krim të rëndë. Ajo vajzë dhe shumë të rinj të tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të Policisë së Shtetit,” – tha Rama.