Ballina LAJME Tiranë, gjen. Sandër Lleshi emërohet zëvëndësministër i brendshëm

Tiranë, gjen. Sandër Lleshi emërohet zëvëndësministër i brendshëm

Pasi nuk ka marrë miratimin e Presidentit të Republikës për ta emëruar në detyrën e ministrit të brendshëm, kryeministri Edi Rama i beson gjen. Sandër Lleshit detyrën e zëvëndësministrit të brendshëm.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti Ilir Meta kishte kohë deri të premten për të dekretuar emërimin e gjen. Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme, afat i cili kaloi dhe dekreti nuk u firmos. Për këtë vendim, me anë të një njoftimi për mediat, u bë e ditur se “Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së z. Sandër Lleshi si ministër i brendshëm.”

Pavarësisht se, në bazë të vendime të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës nuk mund të refuzojë dekretimin e emërimit në detyrë të një ministri, një gjë e tillë tashmë ka ndodhur dhe, për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, ky veprim i Presidentit të republikës nuk mund të apelohet.

Arsyet konkrete që çuan presidentin Meta në këtë veprim ende nuk janë bërë publike, ndërkohë që kryeministri Rama duket se i ka vënë kapak kësaj historie, duke e emëruar gjen. Sandër Lleshin në detyrën e zëvëndësministrit të brendshëm.