Ballina Aktualitet Tiranë, kryeministri Rama: Dora jonë e shtrirë për dialog, nuk negociojmë mandatin

Tiranë, kryeministri Rama: Dora jonë e shtrirë për dialog, nuk negociojmë mandatin

Kryeministri Edi Rama deklaroi i prerë sot se nuk do të ketë negociim për mandatin e dhënë nga populli kësaj maxhorance. Ai tha se janë të gatshëm për dialog dhe dora mbetet e shtrirë por se nuk negociohen rregullat themelore.

“Ka të tjerë që kanë ardhur sot, do vazhdojnë të vijnë dhe ka tjerë jashtë këtyre mureve. Ne nga ana jonë duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë se çfarë nuk shkon siç duhet dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Ne jemi në të drejtën tonë. Jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, në çdo moment, dora jonë e shtrirë, jemi gati të dialogojmë për gjithçka por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi ku njerëzit zgjedhin dhe respektojnë mandatin dhe çdo sistemi tjetër. Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd,” – theksoi kryeministri.

Rama deklaroi sërish se opozita nuk ka asnjë shans të fitojë në zgjedhjet vendore, dhe se edhe bashkitë e drejtuara deri tani nga opozita do të fitohen nga PS.

“Në mbyllje dua të nënvizoj me shumë forcë dhe me shumë qartësi, në qershor Shqipëria ka zgjedhjet vendore. Ata e dinë se nuk kanë asnjë shans, e dini ju se në kafenenë e parlamentit ua kanë thënë vazhdimisht, e di dhe unë se e kam dëgjuar nga partia e tretë e opozitës se nuk kanë asnjë shans të marrin asnjë nga bashkitë që kemi dhe gjysmën e bashkive që kanë. Edhe në Shkodër edhe në Tropojë më në fund do qeverisen nga njerëz normalë që dinë të bëjnë qytet, dinë të bëjnë zhvillim rural e urban dhe idenë të ndryshojnë faqen e historisë së një qyteti. Nuk duan t’i marrim të gjitha, bujrëm le të vijnë në sheshin e betejës. Ju kemi dhënë mundësi ta bëjnë kodin zgjedhor si duan.
Ne mund të pilotojmë disa qendra, qoftë dhe 2-3 njësi administrative me numërim elektronik ishte kënga që dëgjoja mëngjes, drekë e darkë tek dritarja ime. ‘Numërim elektronik mer jahu’ thoshte Dash Shehi. Këta e marrin popullin shqiptar për budalla,” – shtoi Rama.

Ai tha se me opozitën e re në parlament do çojmë para reformën zgjedhore.
“Ne do të gjejmë rrugën të dialogojmë me opozitën që do të zërë vendet këtu në sallë dhe bazuar fiks mbi rekomandimet e ODIHR dhe me gjithë ekspertët, specialistë të zgjedhjeve ndërkombëtare ne do të shkojmë para ashtu sikundër do të shkojmë para me votën e emigrantëve,” – deklaroi ai.